Protestues të shumtë u mblodhën përpara policisë në Sydney, një ditë pas përplasjeve mes forcave të rendit dhe demonstruesve që kundërshtonin vizitën në Australi të Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Ky i fundit ndodhet në Australi pas një ftese nga Kryeministri Anthony Albanese.

Prania e Herzogut ka ngjallur reagime të forta nga një pjesë e opinionit publik australian. Protestuesit e akuzojnë presidentin izraelit për bashkëpërgjegjësi në vdekjen e civilëve në Gaza, duke e cilësuar vizitën si të papranueshme në kushtet e konfliktit aktual.

Autoritetet australiane kanë rritur masat e sigurisë, ndërsa situata në Sydney mbetet e tensionuar.

Menjëherë pas mbërritjes në Sydney, Herzog vizitoi Bondi Beach, ku vendosi një kurorë me lule në nder të 15 viktimave si pasojë e të shtënave masive që ndodhën gjatë një feste në plazh.

Në fjalën e tij, presidenti izraelit Herzog dënoi përhapjen e antisemitizmit si një emergjencë globale.

Klan News

/tvklan.al