Festivali i fishekzjarreve në Auckland të Zelandës së Re hapi xhiron rreth globit të festimeve për hyrjen e Vitit të Ri 2026.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për të parë spektaklin tradicional, ku sapo ra mesnata nisi shpërthimi i 3,500 fishekzjarrëve me një peshë totale prej 500 kilogramësh, në kullën e famshme Sky Tower 328 metra të lartë, shoqëruar edhe me dritat shumëngjyrëshe në urën Harbor Bridge.

Dy orë pas Zelandës së Re, fishekzjarrët festivë shpërthyen edhe në urën e portit të Sydney-t në Australi.

Shfaqja në momentin e ndërrimit të viteve, për të cilën u përdorën 9 tonë fishekzjarrë, u shijua nga afër nga mbi 1 milionë njerëz, përfshirë edhe mijëra turistë të huaj që ndoqën spektaklin tradicional në Harbor Bridge.

Para se të mbërrinte Viti i Ri, të pranishmit mbajtën një minutë heshtje në nderim të 15 viktimave të sulmit terrorist kundër komunitetit hebre në plazhin Bondi, më 14 dhjetor.

Xhiroja e spektaklit dhe festës vijon me kryeqendrat aziatike, për të ardhur më pas në Europë e Amerikë. Disa vende të veriut të Europës dhe e Bashkuara janë nën pushtetin e stuhive të dëborës. Në Times Square të New York-ut, topi tradicional që kur mbërrin në tokë shënon nisjen e Vitit të Ri është gati.

Tv Klan

/tvklan.al