Dusan Vlahoviç vazhdon të jetë pa skuadër, pasi i përfundoi kontrata me Juventusin më 30 qershor. Sulmuesi serb është lojtar i lirë dhe po pret ofertën që ta bindë për të vazhduar karrierën.

Një nga klubet që provoi ta transferonte ishte Besiktasi. Klubi turk i paraqiti Vlahoviç një ofertë me bonus firmosjeje prej 5 milionë eurosh, si edhe një kontratë dyvjeçare me pagë neto prej 8 milionë eurosh në sezon.

Megjithatë, Vlahoviç vendosi të mos e pranojë këtë propozim. Refuzimi nuk lidhet vetëm me aspektin financiar, pasi objektivi i tij mbetet transferimi në një klub të nivelit më të lartë evropian.

Sipas raportimeve të fundit, dëshira kryesore e sulmuesit serb vazhdon të jetë Barcelona. Në fillim të korrikut, përfaqësuesit e tij ia propozuan lojtarin klubit katalanas, por drejtuesit e Barcelonës e bënë të qartë se prioriteti i tyre për sulmin është Julian Alvarez.

Përveç kësaj, ekzistojnë edhe disa dilema në lidhje me përshtatjen taktike të Vlahoviç dhe shqetësimet për problemet fizike që ai ka shfaqur në periudha të ndryshme.

Në të njëjtën kohë, nuk përjashtohet as një rikthim i mundshëm te Juventusi. Trajneri Luçiano Spaleti vazhdon ta vlerësojë sulmuesin serb.

/tvklan.al