23 shtator 2026 – Gazetari Zylyrftar Bregu në studion e “Opinion” tha se ish-drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni, i ka dërguar në tavolinë dorëheqjen kryeministrit Edi Rama pasi ishte marrë në pyetje dy herë nga SPAK lidhur me dyshimet për raporte të ngushta me Ergys Agasin.

Sipas Bregut, Rama ia ka refuzuar dorëheqjen deri dje kur presidenti Bajram Begaj firmosi dekretin e shkarkimit pas deklaratës së Ramës menjëherë pas urdhër-arrestit të lëshuar për Vlora Hysenin nga SPAK.

“Dua të them diçka në lidhje me këtë sulmin që po bëhet, a ishte kjo skema më e mirë që SPAK-u përdori për shefen e shërbimit se ka ulur kokën e Shqipërisë, shefi e shërbimit e të tjerë e të tjerë? Keni parasysh që siç thuhet edhe në atë letër, zonja Hyseni është pyetur minimumi dy herë nga SPAK-u dhe herën e dytë është pyetur me një status të rënduar, pra statusin e një njeriu që ka dijeni për veprën penale. Dhe pas daljes nga SPAK-u ka një informacion që është shumë i besueshëm, zonja Hyseni e ka informuar kryeministrin për gjendjen në të cilën ndodhej dhe ka kërkuar që t’i japë dorëheqje. Dhe kryeministri nuk e ka lejuar që t’i japë dorëheqje”, tha Bregu.

Ndër të tjera, gazetari Bregu thotë se pozitat e Ergys Agasit ka qenë tepër të forta, deri në atë pikë sa ishte ai që e ka “rekrutuar” Vlora Hysenin për të drejtuar Shërbimin Informativ Shqiptar me qëllim që ajo t’i shërbejë për interesat personalë.

“Ky është një shpjegim i thjeshtë që është e vështirë ta besosh që shefja e shërbimit në vend që ta rekrutonte, është rekrutuar prej tij. Shpjegimi i dytë më i besueshëm është që Agasi ka qenë pjesë e shërbimeve të tjera që e kanë rekrutuar dhe pastaj ai ka përdorur të gjitha strategjitë e mundshme, edhe historinë rozë, për të rekrutuar kryetaren e shërbimit sekret shqiptar në funksion të shërbimeve të tjera. Jo, unë nuk e besoj këtë që kryeministri t’i ketë dhënë urdhër Sepse edhe në një urdhër të tillë shefja e shërbimit ka skema të vetat që mund të rrijë larg kësaj gjëje”, tha Bregu.

/tvklan.al