Në çdo sezon turistik, mbetet një shqetësim i vazhdueshëm pastrimi i mbetjeve urbane në qytetin e Vlorës. Ato hidhen anës rrugëve kryesore, duke u bërë një reklamë e keqe për mijëra turistë që frekuentojnë bregdetin. Autoritetet heshtin për situatën.
“Territori turistik që Vlora mbart vijon të ndotet vazhdimisht nga grumbuj të mbetjeve inerte apo urbane. Ndodhemi pranë rrethrrotullimit kyç, pikë lidhëse e qytetit, fshatrave të Lumit të Vlorës dhe bypass-it. Kjo është një vatër e re mbeturinash buzë rrugës që të çon në brigjet dhe plazhet më të bukura të Shqipërisë. Prej disa muajsh nuk është ndërmarrë asnjë masë për largimin e këtyre mbetjeve inerte, duke lënë pas panoramën e pahijshme për mijëra vizitorë që përshkojnë këtë aks çdo ditë”, raporton gazetarja Greta Haskaj.
Prej muajsh, mbetje inerte, që vijnë nga shembja e ndonjë godine apo të tjera punime private, depozitohen në mënyrë të paligjshme në këtë segment strategjik rrugor, që lidh brigjet më të bukura të Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit.
Jo vetëm këtu, por edhe në lagje të tjera si Kushtrimi, mbetjet inerte krijojnë të njëjtin realitet të papranueshëm. Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” përcakton që mbetjet inerte të depozitohen në pika të përcaktuara. Për Vlorën, kjo është zona e Jallicës së Nartës ose në landfillin e ri në Sherishtë.
Hedhja e inerteve në këtë mënyrë, buzë rrugës kombëtare që përdoret nga dhjetëra mijëra turistë të huaj që kanë destinacion plazhet më të bukura të jugut, përbën shkelje administrative dhe penale. Por ligji shkelet ditën për dielli dhe institucionet heshtin.
Bashkia e Vlorës nuk ka marrë deri tani asnjë masë, edhe pse drejtues dhe punonjës të saj duhet ta kenë parë me dhjetëra herë këtë pirg mbetjesh kur udhëtojnë drejt Dhërmiut e Himarës për të pushuar dhe për t’u argëtuar.
Vlora synon ta radhisë veten në listën e destinacioneve ndërkombëtare të turizmit, por ky qytet që nuk arrin të mbrojë as hyrjen e vet nga plehrat, vetëm sa po i bën dëm turizmit.
Këto pirgje me plehra po prodhojnë një kosto të lartë për imazhin e Shqipërisë turistike.
E gjithë kjo që ndodh në Vlorë, vjen në një kohë kur qeveria thotë se po rrit standardet. Por asnjë investim apo reklamë nuk e mbulon dot papërgjegjshmërinë e disa institucioneve dhe nuk mund t’u mbyllë sytë turistëve.
Ky nuk është vetëm një problem mjedisor, por është një provë e qartë se Vlora nuk e ka prioritet turizmin dhe se mungesa e kontrollit dhe zbatimit të ligjit e bën këtë qytet bregdetar të ngjajë me një territor të braktisur nga ligji dhe menaxhimi.
Duke mos reaguar, autoritetet vendore jo vetëm po i bëjnë dëm qytetit, por po bëhen bashkëpërgjegjëse në këtë situatë.
Problemet me menaxhimin e mbetjeve në Vlorë vijojnë prej disa kohësh. Në çdo sezon, buzë rrugëve kryesore zbulohet ndonjë vatër plehrash, ndërsa landfilli i Vlorës vijon të prodhojë herë pas here tym e flakë, duke ndotur të gjithë qytetin.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 