Prej tre ditësh, qyteti i Vlorës ka mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.

Një defekt i shkaktuar në tubacionin kryesor ka lënë të gjithë qytetin pa ujë.

Me bidona e ç’të munden, qytetarët e Vlorës i janë drejtuar burimeve natyrore për të mbushur ujë.

Ndërsa spitali rajonal, ai psikiatrik, si dhe institucionet e veçanta janë furnizuar përmes autobotëve të zjarrfikëses.

Gjendja është bërë edhe më e vështirë, pasi depozitat e ujit në banesa janë boshatisur dhe familjet, edhe pse ditë festash, nuk kanë as ujë për t’u larë. Për banorët, kjo situatë është e papranueshme.

“Bridh ja me bidona. Punojmë në ndërtim dhe nuk bëjmë dot dush, jemi bërë për ibret, kemi tre ditë as larë as shpërlarë. Blejmë ujë me lekë që të lajmë enët.”

“Erdhëm të mbushim ujë këtu te uji i ftohtë, se Vlora ujë nuk ka. Katër ditë ikën sot.”

Ndërkohë, prej tre ditësh po punohet për rikthimin e furnizimit në normalitet, por procesi ka hasur vështirësi.

Pas dy ndërhyrjeve, ku u tentua një zgjidhje alternative, presioni i lartë i ujit ka shkaktuar sërish çarje të tubacionit, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit.

Ujësjellësi deklaron se po punohet për gjetjen e një zgjidhje provizore, por ende nuk është bërë e mundur.

Tv Klan

/tvklan.al