Vendosmëria e Donald Trumpit për të marrë Groenlandën ka nxitur Bashkimin Europian të hedhë hapa konkretë për të forcuar kontrollin e ishullit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shpalosi planin e unionit për një vërshim investimesh në Groenlandë që i shërbejnë këtij qëllimi, përfshirë edhe përmirësimin e infrastrukturës. Nga Forumi Ekonomik Global i Davosit, von der Leyen kritikoi edhe tarifat e Trumpit.
“Siguria në Arktik mund të arrihet vetëm së bashku. Kjo është arsyeja pse tarifat shtesë të propozuara janë një gabim, veçanërisht midis aleatëve të hershëm.“
Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron nuk kurseu gjuhën e ashpër ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se as Europa e as vendi i tij nuk do të nënshtrohen.
“Ne preferojmë respektin ndaj ngacmuesve, preferojmë shkencën ndaj konspiracioneve dhe preferojmë sundimin e ligjit ndaj brutalitetit. Kështu jeni të mirëpritur në Evropë dhe më se të mirëpritur në Francë.”
Më herët, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha para Parlamentit Europian se tarifat e Trumpit janë vetëm shantazh që dëmton mirëqenien. Sipas saj, Groenlanda i takon vetëm popullit të saj dhe sovraniteti nuk mund të shitet.
Vetë drejtuesit e NATO-s nuk duken të shqetësuar për momentin për ndonjë konflikt ushtarak të brendshëm që mund të shpërbëjë aleancën. Komandanti suprem i forcave aleate, Aleksus Grinkeviç, tha nga Rumania se aktualisht Groenlanda është vetëm çështje politike.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 