Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, paralajmëroi një hap të ri javën e ardhshme për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, ajo tha se BE-ja do të përpiqet ta rikthejë procesin në lëvizje, duke vlerësuar reformat e ndërmarra deri më tani.
“U dakorduam që javën e ardhshme të kemi një hap të parë të ri dhe të përpiqemi ta zhbllokojmë situatën dhe, në fakt, ta kthejmë atë në një proces. Në momentin kur ta zhbllokojmë situatën këtu, mendoj se mund të jemi shumë të shpejtë me Maqedoninë e Veriut, sepse tashmë po punojmë intensivisht për reformat që janë të nevojshme”, tha Von Der Leyen.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski kërkoi një proces të drejtë dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian në dialogun me Bullgarinë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje evropiane dhe shmangien e kushteve të reja dypalëshe.
“Ne i kryejmë detyrat tona, zbatojmë reforma që priten nga një vend, ndonjëherë në kohë, ndonjëherë vonohemi, por megjithatë i zbatojmë si vend që dëshiron të futet në BE. Çdo zgjidhje duhet të japë siguri, e jo hapësirë për kërkesa të reja”, tha Mickoski.
Shkak për bllokimin e procesit të integrimit për Maqedoninë e Veriut është bërë kërkesa e Sofies për përfshirje e bullgarëve në Kushtetutë, për të cilën ende nuk është arritur kompromis.
Maqedonia e Veriut ishte ndalesa e fundit e turit ballkanit të presidentes së Komisionit Europian.
Më herët gjatë ditës së sotme ajo ishte në Podgoricë, ku konfirmoi se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së brenda vitit 2028.
/tvklan.al












Botërori 2026 