Procesi i votimit vijon edhe në burgun e Reçit, i cili është institucion i vuajtjes së dënimit me siguri të lartë. Siç raporton gazetari Besar Bajraktaraj, në të ndodhen 645 të dënuar dhe të paraburgosur. Nga 359 të dënuar, 44 kanë të drejtën e votës. Të paraburgosur janë 286 dhe 213 prej tyre kanë të drejtë vote. 13 të burgosur të huaj gjithashtu nuk kanë të drejtë vote.
Humbja e të drejtës së votës parashikohet në bazë të ligjit sipas klasifikimit për veprat e rënda penale si gjenocid, krime kundër njerëzimit, vrasje, tortura, marrëdhënie seksuale me të mitur, krime zgjedhore, të dënuar për organizata kriminale, trafik droge etj.
Gazetari përshkruan edhe mënyrën e procesit të votimit në burg, i cili nuk ndryshon shumë nga ai që ndodh në rrethana normale.
Besar Bajraktaraj: Është i njëjti komision, ka anëtarët, sekretarët, po ashtu ka edhe punonjës të tjerë që janë të vendosur për të bërë edhe dorëzimin e kartave të identitetit të votuesve. U jepet karta e identitetit në momentin që mbërrijnë pranë qendrës së votimit. Pasi ushtrojnë të drejtën e votimit, ata duhet ta rikthejnë sërish mjetin e identifikimit pasi nuk lejohet që ata ta mbajnë gjatë qëndrimit të tyre dhe e mban administrata e burgut deri në momentin që ata përfundojnë dënimin. Pasi bëhet verifikimi, ata kalojnë të gjithë procesin ashtu si në qendrat e tjera të votimit, të verifikimit të kartës së identitetit, po ashtu të shenjës së gishtit dhe i jepet edhe fleta e votimit e firmosur me vulën e KQZ-së dhe kalohet për te dhoma e fshehtë aty ku shprehin të drejtën e votës dhe së fundmi procesi i hedhjes së fletës së votimit në kuti.
Informohuni në zgjedhje.tvklan.al për të dhënat rreth pjesëmarrjes së votimit çdo orë dhe krahasimeve me zgjedhjet e mëparshme parlamentare./tvklan.al