Atmosfera e zjarrtë e festivalit tradicional San Fermín në qytetin Pamplona në Spanjë u shoqërua edhe këtë herë me incidente, teksa në vrapimin e radhës me dema nëntë persona mbetën të plagosur.

Sipas autoriteteve spanjolle, pesë prej tyre u dërguan në spital për trajtim, ndërsa katër të tjerë morën ndihmën e parë në vend.

Fatmirësisht, asnjë nga të lënduarit nuk u godit nga brirët e demave. Shumica e plagëve u shkaktuan nga rrëzimet dhe përplasjet mes pjesëmarrësve në momentet e tensionit përgjatë itinerarit.

Vrapimi, që zgjati pak më shumë se dy minuta, u zhvillua mes një numri të madh vrapuesish, duke e bërë rrugën tepër të mbingarkuar.

Në një prej segmenteve më të njohura të itinerarit, disa pjesëmarrës humbën ekuilibrin, duke krijuar një efekt zinxhir rrëzimesh, ndërsa demat vijuan rrugën drejt arenës.

Pavarësisht rrezikut, mijëra njerëz nga e gjithë bota vazhdojnë të marrin pjesë çdo vit në këtë traditë shekullore. Festivali San Fermín zhvillohet nga 6 deri më 14 korrik dhe përfshin parada, koncerte, procesione fetare dhe, mbi të gjitha, vrapimin e famshëm me dema.

Megjithëse spektakli tërheq turma të mëdha turistësh, ai mbetet një nga aktivitetet më sfiduese dhe më të rrezikshme, duke sjellë pothuajse çdo vit të plagosur mes pjesëmarrësve.

Tv Klan

/tvklan.al