Reagimi qytetar dhe i komunitetit të prindërve për ngjarjen tragjike të  vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar pranë ambienteve të shkollës  “Fan Noli” vijon.

Në një deklaratë publike prindërit paralajmëruan protestën e radhës e cila do të mbahet më 3 Dhjetor.

“Duke qenë se kanë kaluar 12 ditë nga ngjarja që na tronditi të gjithëve dhe ende nuk kemi një version përfundimtar të saj, por vetëm deklarata kontradiktore nga Policia e Shtetit, ku herë fajësohet media dhe herë protestuesit, ende pas 12 ditësh nuk kemi zbardhje të plotë të ngjarjes. Ne kërkojmë një hetim të plotë për ngjarjen dhe vendosjen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë. Vetëm duke vendosur drejtësi për Martinin do të mund të shpresojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”.

Sipas prindërve, shkollat nuk garantojnë as sigurinë fizike të fëmijëve, ndërkohë që u distancuan nga çdo tentativë për të politizuar protestën.

“Tentativat për ta lidhur protestën me axhenda të ndryshme partiake nuk na demotivojnë as nuk na shpërqëndrojnë. Ne kemi dalë dhe do të dalim për drejtësi Martinin dhe siguri për fëmijët tanë! Për këtë dhe për të gjitha kërkesat që kemi shprehur më herët, ne do të jemi ditën e martë, në orën 18:00, para shkollës “Fan Noli”, ku do të marshojmë drejt Ministrisë së Arsimit”.

Prindërit dhe qytetarët kanë zhvilluar tre protesta të mëparshme për zbardhjen e ngjarjes te shkolla “Fan Noli”.

Veç dorëheqjes së ministres së Arsimit, kërkojnë edhe rritjen e numrit të psikologëve duke arritur një raport 1 psikolog për 200 nxënës,  qëndrimin në shkollë deri në orën 16:00 si dhe bllokim të gjuhës së dhunës dhe urrejtjes në rrjetet sociale.

Klan News