Një varg shkeljesh janë evidentuar nga dy raportet e hartuara nga dikasteret qeveritare që i udhëheqin ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla e ajo e Drejtësisë Donika Gërvalla, në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sipas tyre mosveprime institucionale që do të mund të parandalonin vrasjen e Zekajt janë evidentuar në Gjykatë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë, në Policinë e Kosovës, në Qendrën për Punë Sociale të Pejës.

Të dy ministrat kanë thënë se si ekzekutiv nuk kanë kompetenca që të ndërhyjnë në punën e tyre. Ndërsa kanë vlerësuar se dorëheqja, nuk do të kontribuonte në trajtim më të mirë të rastit.

Derisa mbahej konferenca jashtë janë organizuar protesta për të tretën ditë radhazi.

Protestuesit kërkonin dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës, shkarkime e jo suspendime dhe dënime ndjekje penale e personave të përfshirë në rast.

Ata madje kanë tentuar të hyjnë brenda objektit të qeverisë për të ndjekur konferencën. Arlinda Zekaj, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.

Kryeprokurorja e Prokurorisë së Pejës Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra të enjten, katër ditë pasi ndodhi vrasja.

/tvklan.al