Gjykata dhe Prokuroria e Korçës  kanë dhënë versionet e tyre, në lidhje me vrasjen e Egli Progës në Pogradec, pas reagimeve të shumta që shkaktoi veçanërisht caktimi i veprës penale “vrasje nga pakujdesia” për autorin e dyshuar të krimit, Denis Meçe.

Prokuroria e Korçës deklaroi se ka nisur një hetim ndaj inspektorit të policisë së Pogradecit Artur Lilo, pasi rezulton se nuk mori asnjë mase për te dokumentuar provat edhe pse ndodhej në vendngjarje.

“Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar .A.B. i ka thënë se kushëriri i tij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej.”

Ndryshe nga policia që nuk specifikoi mënyrën se si u arrestua autori, Prokuroria e Korçës ka sqaruar autori i dyshuar i ngjarjes është vetëdorëzuar pranë Komisariatit të Policisë Pogradec.

Edhe pse ka qenë kjo prokurori që ka kërkuar që autori Denis Meçe të akuzohet për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, në njoftimin e saj thekson se hetimi ende nuk është përfunduar.

“Ndryshimi në regjistër i veprës penale mund të kryhet në çdo moment nga Prokurori në bazë të provave që do të merren. Theksojmë që ende nuk është administruar në dosjen hetimore akti i ekspertimit mjekoligjor, provë thelbësore për ngjarjen, si dhe po punohet në lidhje me pamjet filmike. Gjithashtu Prokuroria po punon intensivisht për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe personat e përfshirë dhe rolin e tyre.”

Më herët Gjykata e Korçës u shpreh në një reagim se në këtë fazë të procesit penal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar. Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjësisë penale të secilit person të përfshirë, sipas gjykatës i takon vijimit të hetimeve.

Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për rastin e vrasjes se EgliProgës, duke kërkuar nga prokuroria dhe gjykata e Korçës të gjithë dosjen hetimore, për të verifikuar nëse është respektuar ligji për regjistrimin e veprës penale “vrasje nga pakujdesia” dhe në seancën për caktim të masave të sigurimit.

Klan News