Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 20-vjeçarit, Johan Zuko, në Korçë.

Uniformat blu kanë dalë me një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se deri më tani janë shoqëruar tre persona në komisariat, pasi dyshohet se mund të kenë qenë të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën i riu.

“Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë“, njoftojnë blutë.


Sakaq, Drejtori i Krimeve në Korçë, Sejfulla Metko, ka mbajtur një deklaratë për media, duke zbardhur kështu disa aspekte nga krimi i ndodhur mes dy shokëve.

Metko u shpreh se autori, tashmë i identifikuar me inicialet K.S., pas vrasjes i është drejtuar rrugës së varrezave dhe se policia është në ndjekje të tij.

“Autori, rreth 15 minuta më pas, është parë nga dëshmitarë okularë që ka shkuar në drejtim të varrezave dhe policia është vënë në ndjekje të tij”, tha Metko.

Ai gjithashtu bëri me dije se viktima ka pasur në dorë një thikë, por nuk dihen detaje nëse kjo armë e ftohtë është përdorur ose jo nga viktima.

“Viktima është vrarë me armë kallashnikov. Gjithashtu viktima ka pasur në dorë një armë të ftohtë, një thikë. Konflikti ka qenë i mbartur disa kohë më parë, ka qenë në ndjekje nga ana jonë, dhe sot ka precipituar në ngjarjen kriminale”, tha ai.


Kujtojmë se ngjarja ndodhi këtë të shtunë, 8 gusht, në lagjen 14 të Korçës.

Të dhënat e para bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar ishin shokë dhe janë rritur së bashku.

Dyshohet se autori e ka ndjekur 20-vjeçarin deri në lagjen ku ndodhi ngjarja. Viktima, i cili nuk ishte banor i zonës, mësohet se ka tentuar të fshihet brenda një pallati, por autori dyshohet se e ka ndjekur dhe e ka qëlluar për vdekje brenda godinës.

Autori i dyshuar ka precedentë penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.

/tvklan.al