Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimet për tre të akuzuarit për vrasjen makabre të Liridona Ademajt.

Naim Murseli dhe Granit Plava do të vuajnë burgimin e përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burg. Apeli ka rrëzuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfaqësuesit të familjes së viktimës dhe mbrojtësve të të akuzuarve, duke konfirmuar vendimin e dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 korrik 2026.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë e ka vërtetuar drejt dhe plotësisht gjendjen faktike dhe se nuk ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale apo të ligjit penal. Sipas kolegjit gjykues, provat kanë vërtetuar pa dyshime se të akuzuarit kanë kryer veprimet për të cilat janë shpallur fajtorë. Apeli ka konsideruar gjithashtu se dënimet e dhëna janë në përputhje me rëndësinë e veprës penale dhe rrethanat në të cilat ajo është kryer.

Si rrethana rënduese gjykata ka marrë parasysh shkallën e lartë të faktit se krimi është kryer me dashje, motivin e përfitimit material në rastin e Murselit dhe faktin se vrasja është kryer në praninë e dy fëmijëve të Liridona Ademajt.

Gjithashtu, janë vlerësuar mosha e re e viktimës, fakti se ajo ishte e pambrojtur, planifikimi i detajuar i krimit dhe sjellja e të akuzuarve pas vrasjes. Sipas vendimit, pas ngjarjes, të akuzuarit kanë vijuar aktivitetet e tyre të zakonshme, përfshirë daljet në lokale argëtimi, pa shfaqur shenja keqardhjeje për viktimën.

Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë dhe e familjes së Liridona Ademajt që edhe Kushtrim Kokalla të dënohej me burgim të përjetshëm nuk është pranuar. Apeli ka argumentuar se Kokalla është shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë dhe se ligji parashikon dënim më të butë për personat që ndihmojnë në kryerjen e një vepre penale, krahasuar me autorët e saj.

Për këtë arsye, dënimi prej 30 vitesh burg është konsideruar i drejtë dhe në përputhje me ligjin.

/tvklan.al