Gjykata e Apelit ka dënuar këtë të hënë me 7 vjet burg Arbër Paplekajn, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, më 25 Prill të 2021 në Elbasan.

Ish-efektivi i RENEA ishte dënuar nga Gjykata e Elbasanit me 22 vite burg për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, por kishte pretenduar se krimin e kishte kryer për vetëmbrojtje. Pikërisht ky argument u pranua nga trupa gjykuese e cila e dënoi Paplekajn për akuzën “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.

Gazetarja Glidona Daci raporton se vendimi erdhi pas 2 akt ekspertizave hetimore që e bindën gjykatën se Paplekaj kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

“U kryen dy akt ekspertimi hetimore. I pari ishte akt ekspertimi balistik sa i takon mënyrës sesi ishin vendosur predhat në momentin kur ndodhi ngjarja. Ndërkohë që nga ana tjetër ka kryer edhe një akt ekspertimi i cili kishte të bënte me çështjen e pamjeve filmike ku ishin të pozicionuar personat e përfshirë. Arbër Paplekaj sipas ekspertëve kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Për këtë arsye, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm pasi dëgjoi argumentet e të gjitha palëve, vendosi që Paplekaj ka vepruar dhe qëlluar në kushtet e tronditjes së rëndë psikike, ndaj kërkuan dënimin me 7 vjet burg”.

Sa i përket dy ish-nëndrejtorëve të policisë së Elbasanit dhe 6 efektivëve të forcave Shqiponja, Apeli  i shpalli ata të pafajshëm. Gjykata e Elbasanit i kishte dënuar ish-zyrtarët e policisë me 1 vit shërbim prove, për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, gazetarja Daci shtoi po ashtu se pavarësisht akt ekspertizave dhe rindërtimit të gjithë skenës së krimit, deri më sot nuk është provuar ende se kush janë dy personat e tjerë që kanë qëlluar. Kjo pasi në vendngjarje janë gjetur 3 lloje të ndryshme gëzhojash.

“Nuk është provuar se kush janë dy personat e tjerë që kanë qëlluar sepse në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 lloj gëzhojash të ndryshme dhe në të gjithë dosjen dhe hetimet që ka kryer prokuroria nuk u arrit të vërtetohej se kush janë personat e tjerë që kanë qëlluar përpos plumbave që dolën nga pistoleta e Paplekaj”, tha Daci.

Pjerin Xhuvani, viktima

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë nga përplasja me armë e ndodhur mesditën e 21 Prillit 2021, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare.

Pjesëtarë të të ashtuquajturës struktura për mbrojtjen e votës e Partisë Demokratike ku bënte pjesë edhe Arbër Paplekaj, ndaloi Mehmet Grecën një të skeduar për drogë, që sipas tyre po tentonte të blinte vota në favor të PS-së.

Mbështetësit e opozitës njoftuan policinë, ndërsa miqtë e Grecës u afruan më shpejtësi për t’i dhënë ndihmë. Teksa policia ndodhej në vendin e ngjarjes për të sqaruar situatën, dy grupet u konfliktuan dhe Arbër Paplekaj nxori armën me leje dhe qëlloi duke lënë të vrarë Xhuvanin, ndërsa u plagosen dhe 4 të tjerë./tvklan.al

(Video nga rindërtimi i skenës së krimit)