Forcat e policisë po kryejnë kontrolle në disa qytete me qëllim kapjen e dy personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 21-vjeçarit portugez.

Forcat speciale që prej mbrëmjes së të mërkurës janë përqendruar kryesisht në Vlorë, Tiranë e Kukës dhe po ushtrojnë kontrolle në disa zona ku dyshohet se fshihet pronari i lokalit Bekim Bulica dhe David Gjana.

Ndaj pronarit të lokalit është ngritur akuza “Moskallëzim krimi”, pasi nuk e ka referuar te autoritetet ngjarjen e 18 gushtit. Ndërsa Gjana dyshohet se ka goditur me grushte të riun gjatë konfliktit fizik që ndodhi në lokal.

Policia ka bërë referimin e materialeve në Prokurorinë e Sarandës për 11 të arrestuarit dhe 2 personat e shpallur në kërkim. Organi i akuzës ka dorëzuar kërkesën për masat e sigurimit në gjykatë, seancë që është parashikuar të zhvillohet të premten.

I dyshuari kryesor i policisë si autor i krimit është Sokrat Vata, i cili është në pranga. Ai pretendon se thikën ia mori nga dora Migel Mendezit gjatë konfliktit fizik.

29-vjeçari ka deklaruar para hetuesve se debati degradoi në përplasje fizike dhe se nga aty ndodhi dhe krimi. Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Ndërsa momenti i goditjes me thikë të 21-vjeçarit nuk është filmuar nga kamerat, për shkak se është distancë e largët dhe errësirë.

Mes të arrestuarve është dhe një efektiv i Policisë së Shtetit, i cili dyshohet për përfshirje në konflikt dhe se ka ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes.

Sokrat Vata u arrestua disa orë më vonë në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke dhe një pasagjer me të njëjtën kombësi.

Klan News

/tvklan.al