Leonard Duka është dënuar me 30 vite burg në lidhje me vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Vendimi u mor sot, 21 janar, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndërsa për vëllain e tij, Erlis Duka, gjykata shpalli pafajësi. Ajo vendosi të heqë masën e sigurimit ndaj tij edhe për armëmbajtje pa leje, një episod tjetër për të cilën akuzohej.
GJKKO-ja vendosi të dënojë në mungesë me burg edhe bashkëpunëtorët e Dukës, Fatmir Hysenin, Aleksandër Manxhakun, Oltian Logën dhe Dritan Agajn me nga 25 vite burg secili.
Ata akuzoheshin nga SPAK për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal. Këto akuza gjykata i vlerësoi të drejta përveç ato ndaj Erlis Dukës.
Kujtojmë se Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar. Ai akuzohej si një organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në Gusht të 2019-ës në Tiranë. Mbi këtë akuzë, Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023.
Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu. 25 vite burg janë dhënë ndërkohë për Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.
Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.
Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi. Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.












Botërori 2026 
