29-vjeçari Sokrat Vata hyri në ambientet e Gjykatës së Sarandës me forcat e shtuara të sigurisë dhe duke dëgjuar të afërmit e tij teksa zbriste nga furgoni.
Ai do të përballet për herë të parë me ngjarjen e rëndë të vrasjes së të riut nga Portugalia, Luis Miguel Varela Mendes, që cenoi jo pak imazhin e turizmit shqiptar.
Pas tij, të shoqëruar nga policia në gjykatë, u futën edhe 10 të arrestuarit e tjerë, mes tyre edhe dy punonjës policie, të cilët janë marrë në hetim për moskallëzim krimi, përkrahje të autorit të krimit dhe mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë.
Prej orës 11:30, gjyqtari Shkëlzen Liçaj po dëgjonte të dyja palët mbi nevojën për caktimin e një mase sigurie dhe provat e grumbulluara deri më tani nga Policia dhe Prokuroria.
Referuar hetimeve, Vata qëlloi me thikë disa herë ndaj 21-vjeçarit, pas një sherri që nisi në ambientet e brendshme të lokalit të natës. Në konflikt u përfshinë edhe kamerierët e biznesit.
Pas ngjarjes, Vata tentoi të arratisej, por u arrestua në Levan të Fierit, në bagazhin e një makine, në drejtimin e së cilës ishin dy shtetas nga Turqia, të dy po ashtu të arrestuar.
Në kërkim për vrasjen janë pronari i lokalit, Bekim Bulica, i akuzuar për moskallëzim krimi, dhe shtetasi Denis Gjana, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor në vrasje.
Për arrestimin e tyre, të enjten policia ushtroi kontrolle në disa qytete në vend.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 