Pas disa ditësh kontrolle, policia e Sarandës gjeti thikën me të cilën dyshohet se S.V. qëlloi disa herë ndaj 21-vjeçarit portugez, Luis Miguel Varela Mendes, mëngjesin e 18 gushtit. Arma e krimit është gjetur e hedhur në disa ferra, larg vendit të ngjarjes, lokalit të natës, besohet përgjatë rrugës që autori i dyshuar ka ndjekur për t’u arratisur.
Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Sarandës ka dëshmi të momentit ku thuhet se 29-vjeçari është parë të hedhë diçka në mes të rrugës, teksa po largohej me makinë nga DJ i lokalit.
“Kam marrë makinën dhe në pjesën e sipërme të lokalit doli S.V., i cili hipi në pjesën e pasme të makinës dhe jam nisur menjëherë në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit, ku S.V. gjatë rrugës më tha ‘ik vetëm drejt’ dhe pas dy-tre minutash, kur shkuam në një rrugë me kalldrëm, S.V. më tha ‘ndalo këtu’ dhe iku zbathur. Disa metra, pak larg makinës, vura re që S.V. hodhi diçka me forcë”.
S.V., sipas pamjeve të kamerave të sigurisë të zbardhura nga Prokuroria, ka qëlluar ndaj 21-vjeçarit me thikë pas një sherri fizik që, sipas dëshmive, kishte nisur për shkak të zhurmës.
I riu, në përpjekje për t’i shpëtuar goditjeve, është hedhur në det dhe, kur ka dalë prej andej, ka qenë i gjakosur. Me gjurmë gjaku në veshje dhe trup, nga vendi i ngjarjes janë filmuar të largohen S.V. dhe D.G., ky i fundit ende në kërkim për bashkëpunim në vrasje.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 