Pronari i biznesit ku u vra turisti portugez, dhe D.Gj., i njohur edhe me mbiemrin Heurtevent, i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, janë në qendër të disa kontrolleve që Policia e Shtetit kreu në orët e para të kësaj të enjteje.

Kontrollet u ushtruan në Tiranë, Vorë dhe Kukës, në disa biznese e hotele, ku besohej se ata ishin fshehur. Ata janë të vetmit nga personat që janë gjetur nën përgjegjësi penale për ngjarjen e rëndë, e cila cenoi imazhin e turizmit shqiptar, që nuk janë arrestuar.

Pronari i biznesit, sipas policisë, ka qenë prezent në ngjarje dhe është larguar pa e kallëzuar atë, ndërsa D.Gj., rezulton se ka goditur me grusht 21‑vjeçarin Luis Miguel Varela Mendes dhe, sipas Policisë, është bashkëpunëtor në vrasje.

Ndërkohë që Policia vijon me kontrollet, Prokuroria është duke përgatitur kërkesën për caktimin e masave të sigurisë për 11 të arrestuarit, mes tyre S.V., pas administrimit të materialit.

Sipas hetimeve, S.V., goditi të riun nga Portugalia disa herë me thikë, pas një sherri fizik të nisur në ambientet e brendshme të lokalit të natës, i cili më pas u zhvendos në ambientet e jashtme.

Tv Klan

/tvklan.al