Konflikti që i mori jetën 21-vjeçarit portugez, Luis Miguel Varela Mendes, i cili prej një jave ndodhej në Shqipëri, nisi në ambientet e brendshme të lokalit ku po festohej. Kamerat e sigurisë kanë të regjistruar nisjen e përplasjes fizike dhe disa momente më pas ajo është zhvendosur jashtë.

Fillimisht ndaj të riut është goditur me grusht nga një prej personave të shpallur në kërkim, teksa në ambientet e jashtme besohet se S.V. e ka qëlluar atë disa herë me thikë. Burime nga grupi i hetuesve thanë se, për shkak të rrëmujës, largësisë dhe ambientit të errët, kamerat nuk kanë kapur qartë momentin e goditjes me thikë.

Megjithatë, para hetuesve, 29-vjeçari S.V. ka thënë se sherri ka nisur fillimisht mes pjesëtarëve të grupit të turistëve dhe ai është përpjekur të vendosë rregull, por ka qenë e pamundur dhe ka nisur konflikti fizik.

Në dëshminë e dhënë, 29-vjeçari po ashtu ka pretenduar se nuk ka pasur armë të ftohtë me vete. Thikën me të cilën ka ndodhur ngjarja thotë se ia ka marrë viktimës gjatë përplasjes fizike.

S.V. u arrestua pesë orë pas krimit, në përpjekje për t’u arratisur i fshehur në bagazhin e një makine që drejtohej nga një 31-vjeçare dhe pasagjer një 38-vjeçar, të dy shtetas turq.

Pas ngjarjes, policia arrestoi 11 persona dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë. Përveç akuzave për vrasjen e 21-vjeçarit, të hetuarit e tjerë dyshohen për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të vrasjes.

Tv Klan

/tvklan.al