Pas qëndrimeve të kundërta për vrasjen e Egli Progës, Policia e Shtetit ka rrëzuar akuzën “Shpërdorim detyre që i është ngritur inspektorit të policisë së Pogradecit, Artur Lilo.
Prokuroria e Korçës deklaroi se ai nuk mori asnjë masë për të dokumentuar provat edhe pse ndodhej në vendngjarje, por në reagimin e saj, Policia e Shtetit thotë se ai nuk ka lidhje me hetimin e ngjarjes dhe se ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.
Policia e Shtetit: Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore. Ai ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital.
Policia e Shtetit rrëzon dhe akuzën e prokurorisë se ka mangësi të akteve referuar nga policia.
Policia e Shtetit: Në lidhje me hetimin e kësaj ngjarjeje, Policia ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak, materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia.
Polici informon se pas urdhrit të Muhamet Rumbullakut mbi hetimin e punës së policisë së Pogradecit, rezulton se nuk është shkelur asnjë procedurë standarde gjatë kësaj ngjarjeje.
Theksojmë se kontrolli rigoroz i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka gjetur në përputhje të plotë me misionin dhe ligjin, të gjitha hapat e ndërmarra nga strukturat e policisë vendore për zbardhjen e ngjarjes.
Për krimin e 10 Gushtit reagoi Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili hodhi poshtë akuzat se, ngjarja është fshehur.
Pas këtij qëndrimi doli në një deklaratë për mediat dhe Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare. Skënder Brataj tha se shërbimi i autoambulancës iu përgjigj telefonatës për ndihmë për 7 minuta.
Për këtë ngjarje reagoi dy herë edhe kryeministri Rama, i cili e cilësoi të pakuptueshme akuzën “vrasje nga pakujdesia” ngritur nga Prokuroria e Korçës ndaj autorit të dyshuar, Denis Meçe.
Klan News