23 nëntor 2026 – Selami Hasani është gjetur i vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij në lagjen “1 Maji” në Fier ndërsa i plagosur ka mbetur nipi i tij.
Dyshohet se shkak për vrasjen e Hasanit, i njohur ndryshe si Sel Çami alias Seli i malit, të jetë bërë hasmëria me Arben Isufajn, i njohur ndryshe si Ben Qimja, një person me precedentë penal, raporton gazetarja e Klan News Anila Sefa.
Policia e Fierit është vënë në ndjekje të autorëve ndërsa një automjet i djegur është gjetur në fshatin Dermenas i dyshuar se u përket vrasësve.
Viktima ishte dënuar për vrasjen e Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002 dhe që prej asaj kohe konflikti kishte mbetur i pazgjidhur. Selami Hasani u arrestua pas 7 vitesh në kërkim në banesën e tij ku iu gjetën dhe iu sekuestruan dy pistoleta. Pas rreth 11 vitesh të vuajtura nga dënimi prej 25 vitesh, ai doli nga burgu në fund të vitit 2021.
Por kush është Arben Isufaj … Ai rezulton pronar i një sërë biznesesh dhe sipërfaqesh të konsiderueshme toke. Në Vitin 2023 me vendim të GJKKO-së, Isufajt i janë konfiskuar dhjetëra pasuri të vlerësuara si produkt i veprimeve kriminale. Ai është i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Ben Qimja është arrestuar më herët me sasi droge ndërsa ka të regjistruara dhe epsiode përplasjesh me forcat policore.
Policia ka ngritur postblloqe në hyrje të qytetit të Vlorës për verifikimin e automjeteve dhe personave që hyjnë në qytet për lidhje të mundshme me ngjarjen në Fier si dhe për kapjen e autorëve
Nëndrejtori i Policisë së Fierit: Viktima po punonte në oborr kur u qëllua për vdekje
Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alket Ahmetaj për mediat bëri të ditur se policia u njoftua rreth orës 09:50 për të shtënat. Hasani është qëlluar për vdekje në oborrin e shtëpisë teksa ishte duke punuar pranë murit rrethues. Po aty është plagosur dhe nipi i tij.
“Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, i cili po punonte aty. Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e veprës penale. Mund t’ju them se viktima ka qenë duke punuar në murin rrethues të banesës së tij. Aty ka ndodhur ngjarja. Po kryhet këqyrja e vendit të ngjarjes dhe po merren pamjet e kamerave. Për momentin, po kryhen veprimet e para hetimore. Do t’ju informojmë për zhvillimet”, tha Ahmetaj.
Lajmi në përditësim…
/tvklan.al












Botërori 2026 