Mijëra qytetarë kanë protestuar në Sydney, por edhe në qytete të tjera australiane kundër dhunës gjinore të nxitur nga një valë dhune ndaj grave. Protestuesit që u mblodhën në Sydney për një tubim dhe më pas një marshim që mbylli rrugët e qytetit kërkuan ligje më të ashpra penale. Disa protestues mbanin pankarta ku shkruhej “Burrat e vërtetë nuk i lëndojnë gratë” dhe “Unë jam e frikësuar”.

“Unë jam këtu për të mbështetur të drejtat e grave dhe për të dhënë një mesazh që ka të bëjë me edukimin e djemve. Unë nuk duhet t’i them vajzës sime se si të vishet, si të veprojë, çfarë të thotë, por unë do t’i tregoj djalit tim si t’i trajtojë gratë dhe si duhet të jenë marrëdhëniet, për fat të keq, kjo është bota në të cilën po jetojmë, por unë mendoj se duhet të jemi këtu dhe të përpiqemi ta ndryshojmë atë.”

Prostestat vijnë pas ngjarjes në Sydeny ku një person qëlloi me thikë për vdekje 6 persona, përfshirë 5 gra.

Dhuna me bazë gjinore ka qenë një çështje e nxehtë në Australi prej kohësh. Mesatarisht, një grua vritet çdo 9 ditë nga një partner aktual ose i mëparshëm, por 2024 deri më tani ka treguar një tendencë alarmante në rritje.

Kryeministri Albanese tha se do të jetë pjesë e një marshimi në Canberra të dielën ndërsa e cilësoi dhunën ndaj grave një epidemi.

Klan News