Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Elbasanit dhe dënoi përfundimisht me 7 vite burg ish-efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj, të akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në vitin 2021 në Elbasan.

Sipas togave të zeza ngjarja në fjalë është kryer nga Papalekaj në kushte të tronditjes së rëndë psikologjike dhe vetëmbrojtjeje.

Argumente këto të cilat u përdorën nga vetë ish-efektivi i RENEA-s edhe gjatë procesit gjyqësor të Shkallës së Parë në Elbasan, ku Arbër Paplekaj u dënua me 22 vite burg.

Gjykata e Apelit shpalli të pafajshëm 6 efektivët e Shqiponjave dhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, të cilët ishin prezent në momentin që u regjistrua ngjarja e rëndë.

Për ta Gjykata e Elbasanit kishte caktuar dënimin me 1 vit shërbim prove, për shpërdorim detyre.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë nga përplasja me armë e ndodhur mesditën e 21 Prillit 2021, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare.

Fillimisht mes viktimës dhe mbështetësve të opozitës ku bënte pjesë dhe Arbër Paplekaj pati një përplasje verbale e më pas konflikti përshkallëzoi deri në përdorimin e armëve.

Ish-efektivi i RENEA-s u vetëdorëzua në polici vetëm pak orë pas ngjarjes dhe deri tani ka kryer thuajse më shumë se gjysmën e dënimit prej 7 vitesh të caktuar këtë të hënë nga Gjykata e Apelit.

Tv Klan