Një 40-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të shtune në qytetin e Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:16, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit.

Viktima është 40-vjeçari Gentian Qarri. Klan News raporton se ai po kalonte pranë Kishës Ortodokse kur u qëllua nga persona ende të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet.

Qarri mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua në spital, ku si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë.

Burime paraprake bëjnë gjithashtu të ditur se Qarri ka qenë i dënuar me 15 vjet burg në Itali për trafik droge dhe ishte rikthyer në atdhe 3 vitet e fundit, ku nisi dhe punën në fushën e montimit dhe riparimit të kondicionerëve.

Ndërkohë, pak kohë pas ngjarjes, autoritetet gjetën të djegur një makinë Toyota me targa greke në Pyllin e Sodës, e cila dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes. Në automjet mësohet se është gjetur edhe një armë zjarri, kallashnikov.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 11 gëzhoja, ndërsa viktima mori plumba në kraharor e këmbë. Sa i përket autorëve, ata dyshohen të kenë qenë 2.

Paraprakisht dy janë pistat kryesore të policisë. E para lidhet me të shkuarën e Qarrit, ndërsa tjera ajo e konflikteve që mund të ketë pasur për shkak të biznesit të tij.

Njoftimi paraprak i Policisë së Vlorës

“Më datë 06.02.2021, rreth orës 18:16, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit është plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta shtetasi G. Q., rreth 40 vjec, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve”. /tvklan.al