Këto janë momentet e arrestimit të 29-vjeçarit S.V., në Levan të Fierit, pesë orë pasi vrau me thikë 20-vjeçarin Luis Miguel Varela Mendes, nga Portugalia, në një lokal në bregdetin e Ksamilit ku punonte si truprojë.

Ai e la trupin e të riut, që fillimisht u identifikua si francez, në shezlongët e plazhit para lokalit pa shenja jete dhe me plagë të goditjes me thikë, ndërsa u largua duke u fshehur në bagazhin e një makine tip “Ford”.

Në drejtimin e makinës që po udhëtonte drejt Tiranës ishte një grua 31-vjeçe, shtetase turke, dhe pasagjer në të një 38-vjeçar po ashtu nga Turqia. Të dy ata u arrestuan për dhënien e ndihmës autorit në mënyrë që të largohej, por hetuesit po mundohen të sqarojnë edhe rolin e tyre në ngjarje.

Në pranga për këtë ngjarje u vu edhe M.M., një punonjës policie në Drejtorinë e Kufirit Gjirokastër, pasi ka dyshime se ka ndihmuar Vatën të largohej nga vendi i ngjarjes. Ai rezulton se paralelisht me detyrën e tij, punonte si bodyguard në biznesin ku ndodhi ngjarja.

Po ashtu, në kërkim u shpall edhe një tjetër person që ka qenë në vendin e ngjarjes dhe rezulton se është larguar drejt Tiranës. Në pyetje për zbardhjen e rrethanave të krimit janë marrë rreth 40 persona.

Hetuesit janë duke analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit ku ndodhi ngjarja.

Sipas hetimeve të deritanishme, policia thotë se vrasja e të riut portugez ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta që lidhej me një vajzë. Fillimisht sherri ka nisur në ambientet e brendshme dhe më pas është zhvendosur në pjesën e plazhit.

Autori i ngjarjes së rëndë rezulton person me precedentë kriminalë dhe i përfshirë më herët në Angli në çështje të trafikut të drogës.

Tv Klan

/tvklan.al