Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në ishullin e njohur grek Mikonos, ku një shqiptar është vrarë me thikë. Mediat greke shkruajnë se viktima është një 27-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai u godit me thikë në zemër dhe për shkak të plagëve ndërroi jetë menjëherë.

Siç shkruan Protothema, autoritetet policore kanë “skanuar” të gjitha kamerat e sigurisë dhe kanë arrestuar të paktën katër persona. Mes tyre thonë që kanë kapur edhe të dyshuarin kryesor dhe që ka goditur shqiptarin. Ai u arrestua në portin e Rafina-s dhe është gjithashtu nga Shqipëria.

Ky person është shoqëruar në drejtorinë e Sigurisë të Attica-s ku do të pyetet për rrethanat e ngjarjes. Sidoqoftë paraprakisht dyshohet se vrasja të ketë ndodhur pas një sherri për motive financiare.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës. Dëshmitarët, banorë të zonës Agios Fanourios, kanë thënë se kanë dëgjuar zëra dhe zhurma. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por ishte tepër vonë, pasi 27-vjeçari ishte qëlluar në zemër dhe kishte vdekur. Mësohet se ai punonte në ndërtim dhe qëndronte në ishull në mënyrë të paligjshme që prej shkurtit./tvklan.al