Këto momente janë fiksuar pak minuta pasi Gilmando Dani, 47 vjeç, i njohur për autoritetet si një nga personazhet e botës së krimit në Tiranë, u vra në një atentat rreth orës 14:20 në rreth-rrotullimin e Rinasit, pak pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona.

Bashkë me të ishte edhe Muçi Shaljani, i njohur edhe me mbiemrin Sheqeri, një agjent i Mbikëqyrjes Policore, i cili mbeti i plagosur rëndë. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, ku i është nënshtruar një operacioni.

Breshëria e plumbave ndaj tyre nisi fillimisht në krahun e pasagjerit, ku ishte ulur Gilmando Dani, dhe më pas ka përshkruar të gjithë makinën tip Benz me të cilën ata po lëviznin.

“Pasi qëlluan nga makina e tyre, një prej atentatorëve zbriti nga Toyota, u afrua tek Mercedes-Benz-i, hapi derën e makinës dhe qëlloi në brendësi disa herë. Më pas qetësisht u largua së bashku me bashkëpunëtorët e tij drejt Fushë-Krujës.”

Të shtënat kanë qenë të shumta dhe në mënyrë të pakontrolluar, sa kanë kapur edhe xhamat e bizneseve aty pranë, siç duket edhe në këto pamje, fatmirësisht pa lënduar qytetarët që mund të ishin aty.

Autorët e kësaj ngjarjeje, që dyshohet të kenë qenë të paktën katër, përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes një automjet tip Toyota, që u gjet i djegur në fshatin Halil, në Krujë.

Në këtë mjet, policia gjeti katër armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në atentat dhe që do t’i nënshtrohen një akt-ekspertize në Institutin e Policisë Shkencore.

Policia po mundohet të gjurmojë lëvizjet e autorëve para dhe pas ngjarjes përmes kamerave të sigurisë, për të arritur në identifikimin e tyre, teksa ka dyshime se ata kanë qenë të mirëinformuar për lëvizjet e personave që ranë pre e atentatit.

Uniformat blu kanë përdorur edhe dronë në përpjekjet për të zbuluar autorët, ndërsa gjatë gjithë pasdites u ushtruan kontrolle edhe në hyrje të Lezhës.

Gilmando Dani ishte i njohur për autoritetet si i përfshirë në krime kundër jetës, si plagosje dhe gjobëvënie në Tiranë.

Në vitin 2021 ai u dënua me vendim të formës së prerë me 12 vite heqje lirie nga Gjykata e Posaçme e Apelit për gjobëvënie në kuadër të grupit kriminal me drejtues Emiliano Shullazin. Dënim, që e shleu duke u liruar në tetor të 2024-ës.

Në janar të 2015, Dani bashkë me Emiliano Shullazin ranë pre e një atentati në Qafë-Kashar, nga i cili shpëtuan pa lëndime.

Tv Klan

/tvklan.al