“Ky shteg dyshohet se u përdor nga autori për të qëlluar Edmond Sulën, në një distancë prej rreth 30 metrash, teksa 50-vjeçari po futej në banesën e tij”, raporton gazetari Merin Maçi.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pak pas mesnate në Bërxullë të Vorës, sapo viktima zbriti nga makina me të cilën lëvizte së bashku me shokun e djalit të tij.
Vetëm një herë dyshohet të ketë qëlluar autori, plumb i cili ka rezultuar fatal për 50-vjeçarin e njohur edhe me emrin Ali Sula.
Për realizimin e vrasjes, qitësi dyshohet se ka përdorur një armë tip pushkë.
E gjithë ngjarja është fiksuar nga kamerat e banesës ku jetonte viktima, megjithatë errësira në zonë në momentin e vrasjes ka bërë që ekspertët e krimeve të rënda në Policinë e Tiranës të rikthehen këtë të diel në vendngjarje.
Krahas kontrolleve në vendin nga ku dyshohet se është kryer qitja, hetuesit po verifikojnë edhe kamerat në zonë me qëllim për të zbuluar lëvizjet e vrasësit.
Dyshimet janë se autori është larguar në këmbë.
Nga ana tjetër, viktima Edmond Sula rezulton person i përfshirë në disa konflikte, ndaj hetuesit kanë nisur verifikimin e tyre.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 