Nevruz Cenalia, ky që shihni në këtë foto, punonjës i forcave Shqiponja në Policinë e Fierit mbeti i vrarë këtë të hënë në fshatin Baltëz.  Këto janë pamjet vetëm pak minuta pas regjistrimit të ngjarjes, kur të afërm e kolegë të 28-vjeçarit marrin lajmin për vrasjen e tij.

28-vjeçari ishte duke shkuar të merrte detyrën, i veshur me uniformën e policisë kur në orën 13:15 minuta u konfliktua me njq 23-vjeçar. Konflikti, sipas të dhënave paraprake, ka ndodhur në çastin kur makina e autorit dhe ajo e viktimës janë shkëmbyer me njëra-tjetrën.

Të dy ata kanë ndalur automjetet e tyre dhe kanë zbritur nga makina, ku menjeherë autori e ka ofenduar viktimën e më pas ka nxjerrë pistoletën. Ka qëlluar vetëm një herë, dhe plumbi pistoletës e ka kapur 28 vjeccarin në kokë duke e lënë të vdekur në vend. Në momentin e ngjarjes, autori ka qenë i shoqëruar me nënën e tij, e cila ka qëndruar në makinë kur Mërnica ka qëlluar punonjësin e policisë.

Autori, referuar dëshmive nga vendi i ngjarjes, është larguar prej andej me një makinë ngjyrë blu, e cila vetëm pak minuta pas vrasjes së efektivit është braktisur. Drejtori i policisë së Fierit, Lorenc Panganika thotë se po negociohet me familjarët për kapjen e autorit ndërsa zbulon edhe pistat ku po hetohet.

Për kapjen e 23-vjeçarit, uniformat blu kanë organizuar pika të shumta kontrolli, teksa në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”. Këta të fundit siç mund ta shihni në pamje kanë rrethuar dhe fshatin Sulaj të Fierit, ku ndodhet dhe banesa e autorit, Asllan Mernica. Në zonë janë parë edhe dronë.

Për lokalizimin e autorit policia ka vënë gjithashtu në dispozicion 30 mijë Euro shpërblim për këdo që jep informacion të vlefshëm për kapjen e 23-vjeçarit. Por teksa ky i fundit është në kërkim për ekzekutimin e efektivit, probleme me drejtësinë ka dhe vëllai i autorit, Kiri Mërnica, i cili aktualisht ndodhet në burg për tentativë vrasje lidhur me një ngjarje të vitit 2021.

Tv Klan