Është dita e shtetit të Serbisë. Kjo festë kremtohet me shumë aktivitete dhe ceremoni. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka zgjedhur ta kalojë atë gjysmë në punë dhe gjysmë në festë. Në një takim mblodhi serbët e rajonit për të diskutuar gjendjen jo vetëm në Kosovë, por edhe Mal të Zi e Bosnje.

Takimi u zhvillua edhe në praninë e Patriarkut të Kishës Serbe, Irinej, i cili kërkoi unitetin e popullit serb për t’u përballur me të keqen. Vetë Vuçiç duke folur se sa e rëndësishme është paqja në rajon, tha se Kosova ka patur mbështetjen e ndërkombëtarëve. Por, pak foli për takimin e Mynihut.

“Ne do të luftojmë për mbrojtjen e respektit të Serbisë në botë, ashtu siç kam luftuar mbrëmë pas fjalëve të tmerrshme që janë thënë për ne në njërin prej paneleve lidhur me atë se si e kemi okupuar Kosovën, se si kemi bërë krimet më të rënda dhe genocid. Kam luftuar dhe do të luftoj për ta ruajtur imazhin e popullit tonë duke luftuar për të vërtetën në çdo vend të botës”.

Burimet e shtypit serb thonë se Vuçiç e ka bërë Kryeministrin e Kosovës të heshtë. Por, sipas tyre, Vuçiç e ka mbrojtur interesin e shtetit.

Analisti Dushan Janjiç, beson se nuk do të ketë mundësi për dialog intensiv. Mundësia për kompromis dhe një marrëveshje finale duket e vogël, edhe pse nuk përjashton mundësinë e firmosjes së një letre që shpreh vullnetin për marrëveshje.

“Derisa pala e Kosovës të analizojë platformën e saj, të bëjë ndryshime në ekip dhe evropianët ta prekin terrenin më të dërguarit, dhe vetëm atëherë pres që në Vjeshtë të kemi diskutime konkrete. Por, që sot do të ketë aktivitete për të përgatitur ekipet shtetërore dhe ato ndërkombëtare për një proces më efikas, por pa shumë prani të publikut”.

Serbinë e presin zgjedhjet. Presidenti serb ende kërkon kompromis, edhe pse gjithnjë shpreh pesimizëm për një mundësi të tillë.

Tv Klan