Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e quajti hipokrizi kërkesën e qeverisë së Kosovës për të hequr barrierat kufitare me Shqipërinë.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë:

Shoh se është caktuar një mbledhje e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë, ku duan të heqin të barrierat kufitare. Por ky është kulmi i hipokrizisë jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë e Shqipëri, por edhe për ata që i lejojnë të ndërmarrin veprime të tilla.

Deklaratën, Vuçiç e bëri në Novi Sad, gjatë festimeve për 100-vjetorin e bashkangjitjes së krahinës së Vojvodinës me mbretërinë serbe. Presidenti serb zbuloi edhe shtatoren e re të mbretit Pjetër i Parë Karagjorgjeviç.

Duke përcjellë lajmin për mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, shtypi serb shkruan se kjo mbledhje ve vulën krijimit të Shqipërisë së Madhe.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë shtuar së tepërmi pasi qeveria Haradinaj rriti taksën doganore për mallrat serbe deri në 100% të vlerës së tyre.

Kryeministri kosovar ka paralajmëruar se nuk do t’a heqë taksën deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ndërsa presidenti serb ka deklaruar tërheqjen nga dialogu me Prishtinën në Bruksel deri në heqjen e kësaj takse.

Tv Klan