Vullkanet janë ndër forcat më të jashtëzakonshme e madhështore të natyrës. Nëse në historinë e Tokës nuk do të kishin ekzistuar vullkanet, planeti ynë do të ishte plotësisht ndryshe dhe njerëzimi nuk do të ekzistonte. Pavarësisht rrezikut që paraqesin për këdo që jeton pranë tyre, apo shpërthimeve të fuqishme që kanë shkaktuar luhatje të mëdha në klimë, vullkanet kanë qenë të domosdoshëm për krijimin e oqeaneve, atmosferës dhe mbajtjen nën kontroll të fushës magnetike, e cila përndryshe do të ishte tepër intensive. Pra, vullkanet kanë ndikuar në gjenerimin e kushteve të jetës dhe vijojnë ta bëjnë ende sot.
Në botë sot janë rreth 1500 vullkane aktivë, me një përqendrim të madh prej 2/3 të tyre në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” në Paqësor. Aktiviteti vullkanik është një dinamikë globale e vazhdueshme dhe e lidhur ngushtë me pllakat tektonike.
Pavarësisht rrezikut, qindra miliona banorë të Tokës jetojnë pranë zonave vullkanike aktive. Vesuvi në Napoli është një shembull i pastër, ku pranë tij jetojnë mbi 700 mijë persona, me një histori shpërthimi emblematic në vitin 79. Edhe Etna në Sicili, me fshatra dhe qytetin e Catanias në këmbët e saj, për banorët është e shenjtë, duke e konsideruar femër, nënë, dhe e thërrasin “Idda”. Arsyeja pse njerëzimi zgjedh të qëndrojë pranë vullkaneve është e thjeshtë: toka është tepër pjellore, pasi krijohet një luhatje kimiko-fizike e jashtëzakonshme, ku reshjet e shiut ndikojnë mbi shkëmbinjtë e llavës dhe materialet e depozituara nga aktiviteti shpërthyes.
Terreni i krijuar garanton produktivitet shumë më të madh dhe cilësi më të lartë të prodhimeve të tokës, e pasur me elemente kimike si azot, squfur, magnez dhe hekur, që favorizojnë kultivimet dhe janë të domosdoshme për ekosistemin dhe biosferën.
Vullkanet aktive janë si valvula shfryrjeje të planetit, me një fuqi që trondit tokën dhe ajrin. Vullkani më aktiv sot konsiderohet Kilauea në Havai, i karakterizuar nga shpërthime spektakolare me llavë dhe re hiri që ngrihen lart. Ndërsa në Evropë, vullkani më aktiv është padyshim Etna, që edhe para disa ditësh, në korrik 2026, pati shpërthimin e radhës. Etna, nga shpërthimet e shpeshta, modifikon formën dhe lartësinë e saj në mënyrë konstante, si pasojë e depozitave të llavës.
Italia ka 10 vullkane aktivë që kanë shpërthyer në 10 mijë vitet e fundit. Stromboli është i njohur për shpërthimet ritmike e të vazhdueshme, aq sa etiketohet si “Fari i Mesdheut”. Ndërsa Vesuvi dhe Campi Flegrei në rajonin e Kampanias konsiderohen ndër më të rrezikshmit dhe më të monitoruarit, veçanërisht ky i fundit, që është kategori supervullkanesh.
Në Argjentinë gjendet vullkani aktiv më i lartë në botë, me 6887 m mbi nivelin e detit. Temperatura e magmës mund të ndryshojë nga 700 gradë deri në 1200 gradë Celsius.
Shpërthimet vullkanike ndodhin jo vetëm në sipërfaqe, por edhe nën ujërat e detit, duke krijuar ishuj të rinj. Një shembull është Fernandea, ishull pranë Sicilisë, i krijuar si pasojë e një vullkani nënujore në vitin 1831. Ai u ngrit 65 m mbi nivelin e detit, derisa u gërrye nga dallgët dhe erozioni, duke u fundosur sërish në thellësitë e ujërave.
Vullkanet kanë një forcë tronditëse. Shpërthejnë me fuqi spektakolare, duke lëshuar llavë, hi dhe gazra që arrijnë në shtresat më të larta të atmosferës, ndërsa zhurma mund të dëgjohet deri në 4800 km larg. Një nga shpërthimet më të fuqishme në histori ishte ai i vitit 1883 në Ngushticën Sonda, pranë Sumatrës, kur vullkani Krakatoa prodhoi një shpërthim me forcë 200 megaton, duke shkatërruar plotësisht ishullin, duke provokuar cunam me dallgë 40 m të larta dhe duke errësuar ditën në një rreze prej 450 km.
Shpërthimet klasifikohen sipas një renditjeje nga 0–8, ku shkalla 8 konsiderohet megakolosale. Në historinë e hershme të Tokës janë verifikuar disa të tillë, ndërsa nga më të fundit është ai i vitit 1815 në malin Tambora në Indonezi, me forcë 7. Shpërthimi i tij çliroi në atmosferë 150 miliardë m³ shkëmb dhe hi, duke ulur masivisht temperaturën globale dhe duke e etiketuar vitin 1816 si “viti pa verë”. Potenca e shpërthimit vullkanik më të madh të historisë moderne është miliona herë më e madhe sesa shpërthimi i bombës atomike të Hiroshimës.
Në historinë e planetit tonë, sipas verifikimeve shkencore, kanë ndodhur 47 shpërthime vullkanike megakolosale. Aktualisht, supervullkanët më të fuqishëm, më të frikshëm dhe të paparashikueshëm konsiderohen ai i Yellowstone në SHBA dhe Campi Flegrei në Itali, të cilët gjenden nën tokë dhe janë në gjendje të gjenerojnë shpërthime katastrofike me përmasa gjigande.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 