Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul bëri me dije se vendimi i tij për t’u takuar me homologun rus Sergei Lavrov ishte nxitur nga shqetësimet për sigurinë dhe nga nevoja për të trajtuar krizën në rritje të eksporteve të ushqimit.

Lavrov dhe Wadephul u takuan në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara; ky ishte takimi i parë i këtij lloji që prej fillimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Wadephul tha se tentativa për sulm me dronë në aeroportin e Lajpcigut kishte kaluar një vijë të kuqe dhe e bënte të domosdoshme komunikimin e drejtpërdrejtë se Gjermania ishte e gatshme të mbrohej.

“Rusia duhet ta kuptojë se ne jemi gati të rezistojmë dhe të mbrohemi. Një sërë kolegësh, veçanërisht nga Jugu Global, më kërkuan të flisja me Rusinë. Atje ekziston rreziku i urisë dhe prandaj po bëj thirrje për një armëpushim në Detin e Zi”, tha Wadephul.

Ndërkohë Lavrov deklaroi se nuk kishte mësuar asgjë të re nga homologu i tij gjerman, që Berlini të mos e kishte thënë tashmë publikisht.

“I thashë hapur… mund të më kishe telefonuar thjesht dhe të më kishe thënë: ‘lexo deklaratën time'”, tha Lavrov.

Wadephul u përgjigj duke thënë se kështu reagon dikush kur nuk ka argumente dhe ndodhet në një pozicion mjaft të dobët.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, tha se reagimi i Lavrov tregon se Rusia nuk është aspak e interesuar për paqen.

Kallas theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të riarmatoset më shpejt dhe në mënyrë më efektive për të përmbushur objektivin e tij për vitin 2030.

“Komentet e Rusisë janë qesharake. Këto bisedime tregojnë se Rusia në të vërtetë nuk është aspak e interesuar për paqen. Evropa duhet të riarmatoset më shpejt dhe më efektivisht për të përmbushur objektivin tonë për vitin 2030. Evropa ka nevojë për ndryshime vendimtare sa i përket shkallës dhe ritmit të investimeve në mbrojtje, zhvillimit të kapaciteteve, inovacionit dhe kapaciteteve industriale”, tha Kallas.

Një raport I Bashkimit Europian, i përgatitur për liderët e bllokut dhe i parë nga Reuters javën e kaluar, kishte konstatuar se unioni nuk po riarmatosej mjaftueshëm shpejt apo në mënyrë efektive për të arritur qëllimin e saj: të jetë gati për t’u mbrojtur ndaj Rusisë deri në vitin 2030.

Klan News

/tvklan.al