Me bukurinë e saj mahnitëse natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë, Shqipëria është një alternativë e denjë për pushime, edhe kundrejt Italisë ose Greqisë. Kështu shkruan gazetarja e “The Washington Post”, Natalie B. Compton, në një artikull të saj pas një udhëtimi një javor në vendin tonë.

Natalie, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, e nisën udhëtimin nga Shkodra, pasi kishin ardhur me furgonin e kampingut nga Kroacia e më pas nga Mali i Zi.

“Shqipëria, sipas saj, duket si një përzierje mes Italisë dhe Greqisë, por pa turma dhe me çmime më të ulëta”.

Ndalesa e parë ishte Shkodra, një rajon i njohur për malet, liqenet, agroturizmin, ecjet në natyrë, si dhe për historinë e tij. Udhëtimi vijoi drejt bregdetit të jugut, në Himarë, ku çiftit amerikan i tërhoqi vëmendjen Deti Jon, i cili shkëlqente në horizont dhe, ashtu siç e kishin parë në Instagram, uji ishte jashtëzakonisht i pastër dhe shezlongët të shumtë.

Akomodimi në qytet varionte nga bujtinat me çmime të ulëta deri te hotele luksoze që kushtonin qindra dollarë nata. Pak më tej, plazhi i Livadhit, një zonë më pak e zhvilluar, por tërheqëse.

Pas Livadhit, udhëtimi i çiftit vijoi në Berat, qytetin e njohur për shtëpitë karakteristike që rreshtohen përgjatë lumit Osum, e në fund në Tiranë. Me premtimin se do të rikthehen për të parë të tjera destinacione turistike shqiptare, gazetarja e “The Washington Post” shkruan se zhvillimi po ecën me ritme të shpejta, me projekte madhore infrastrukturore si aeroporti i ri në Vlorë, i cili pritet të nisë fluturimet këtë vit, si dhe resortet luksoze të Jared Kushner.

Tv Klan

/tvklan.al