Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dërguarit e posaçëm të Donald Trumpit mbërritën këtë të enjte në Moskë ku i priti kryenegociatori rus.

Ata diskutojnë me Vladimir Putinin dhe zyrtarët e lartë të Rusisë mbi atë që u negociua në dialogun trepalësh të Abu Dabit, si dhe mundësinë për afrimin e qëndrimeve mes palëve drejt një marrëveshjeje për fundin e luftës në Ukrainë.

Në darkë, të dërguarit amerikanë do të takohen edhe me presidentin Volodimir Zelenski në Dublin, ku lideri ukrainas ndodhet për të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian.

Takimi i fillimjavës në Abu Dabi nuk solli ndonjë përparim tjetër konkret veç vullnetit si gjithnjë për të vazhduar bisedimet.

Lëshimet territoriale që Rusia kërkon nga Ukraina, janë pika më e vështirë.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, palët shkëmbyen sulme në territoret e njëra-tjetrës gjatë orëve të fundit.

Në Ukrainë, shënjestër e sulmeve ruse ishte infrastruktura energjetike në rajonin perëndimor të Hmelnitskit, duke shkaktuar ndërprerje të menjëhershme të energjisë elektrike.

Ndërsa mbi 70 dronë ukrainas shenjestruan disa rajone ruse, përfshirë Moskën dhe Krimenë.

Dyshohet po ashtu se ukrainasit kryen një atentat me makinë bombë në jug të Shën Pjetërburgut, ku mbeti i vrarë një ushtarak rus.

/tvklan.al