Shqipëria po hyn në një kapitull të ri të rëndësishëm në udhëtimin e saj turistik, ndërsa destinacioni ballkanik me rritje të shpejtë përgatitet për një integrim më të fortë me sistemet evropiane të udhëtimit. E njohur për plazhet e saj të paprekura, qytetet historike, malet e thepisura dhe përvojat e përballueshme mesdhetare, Shqipëria është bërë një nga destinacionet e pushimeve me rritjen më të shpejtë në Evropë.
Kështu e nis artikullin për vendin tonë prestigjiozja e udhëtimeve globale “Travel and Tour World”, e cila njëherësh nënvizon se, teksa Shqipëria vazhdon të përparojë drejt anëtarësimit në BE, vizitorët mund të ndeshen me procedura hyrëse në zhvillim, menaxhim dixhital të përmirësuar të udhëtimit dhe rregullore të reja.
“Travel and Tour World” shkruan se transformimi vjen në një kohë kur Shqipëria po tërheq një numër rekord udhëtarësh ndërkombëtarë që kërkojnë alternativa ndaj destinacioneve të mbipopulluara mesdhetare. Zonat bregdetare si Saranda, Ksamili dhe Riviera Shqiptare në tërësi kanë fituar vëmendje globale, ndërsa destinacionet kulturore, përfshirë Beratin dhe Gjirokastrën, po përjetojnë një kërkesë në rritje nga vizitorët.
Sipas agjencisë ndërkombëtare të udhëtimeve, qeveria shqiptare tani po përqendrohet në balancimin e zgjerimit të turizmit me përmirësimet në infrastrukturë, mbrojtjen e mjedisit dhe proceset më të lehta kufitare. Por pse Shqipëria po bëhet destinacioni i ri turistik i preferuar i Evropës?
Vendi ofron një kombinim që rrallë gjendet në Evropë: plazhe mesdhetare, qytete të trashëgimisë kulturore të listuara në UNESCO, akomodim të përballueshëm, peizazhe malore, kuzhinë tradicionale dhe mundësi për turizëm të aventurës.
Por përtej plazheve të bukura, edhe atraksionet e tjera të Shqipërisë po fitojnë gjithashtu popullaritet te të huajt, shkruan prestigjiozja e udhëtimeve globale “Travel and Tour World”. E para është Tirana, kryeqyteti ku kultura, jeta e natës dhe përvojat moderne duhen provuar me patjetër. Më tej, Berati ka arkitekturë dhe lagje historike që janë edhe pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.
Nga ana tjetër, trashëgimia dhe turizmi kulturor i epokës osmane mund të përjetohen në Gjirokastër. Ndërsa turizmi malor i Thethit dhe ecjet në natyrë e bëjnë udhëtimin një përvojë të paharrueshme.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 