“I talentuar, po i vogël…! “David rikthehet luftarak, “shkund” skenën e X Factor Kids

David, vogëlushi plot energji dhe talent, këtë të premte ngjitet sërish në skenën e “X Factor”, kësaj here në “X Factor Kids”. Vetëm një vit më parë ai provoi fatin në edicionin e gjashtë të “X Factor Albania”, ku juria i tha fjalinë që i mbeti gjatë në mendje: Je shumë i talentuar, por je shumë i vogël.

Nuk u pranua… por as nuk u thye!

Në vend që ta shuante ëndrrën e tij, ajo fjali e ndezi edhe më shumë. David u rrit, u përgatit dhe kthehet sot aty, në skenën e ëndrrave.

Në natën e tretë të audicioneve të “X Factor Kids”, ai performon me një siguri që i mahniti të gjithë, plot pasion, guxim dhe shpirt luftarak.

Dhe si mund të përfundonte ndryshe? David u largua nga skena me katër “PO” të merituara.

Nuk ndalen duartrokitjet! Mbesa e Elhaida Danit rrëmben zemrën e jurisë e publikut

Në skenën e ndriçuar të “X Factor Kids” në TV Klan, mbrëmja mori një kthesë të papritur sapo Eden, një vajzë e vogël me sy që shkëlqenin nga emocionet, pushtoi skenën.

Askush nuk e priste që pas buzëqeshjes së saj të thjeshtë të fshihej një zë kaq i fuqishëm, deri në momentin kur nota e parë shpërtheu në sallë dhe publiku mbeti pa frymë. Juria, e befasuar, u përfshi menjëherë nga magjia e performancës, ndërsa duartrokitjet nisën të rriteshin valë pas vale.

Por surpriza më e madhe erdhi kur Oriola Marashi kapi një element që të tjerëve u kishte shpëtuar. Pas një serie komplimentesh dhe admirimi nga juria, nga Fifi, e cila nuk i fshehu emocionet, te Bojken Lako që vlerësoi kapacitetin vokal të jashtëzakonshëm, pyetja që ndezi kureshtjen e të gjithëve ishte një: Ky timbër, ky mbiemër… çfarë e keni Elhaida Danin?

Dhe përgjigjja e Edenit, e thënë me një thjeshtësi që vetëm fëmijët dinë ta kenë, surprizoi sallën: Hallë!

Fifi: Ça qenke ti moj vajzë. Nga të vjen ky zë?! O Zot!

Oriola Marashi: Uauu fantastike, do thoja një nga performancat më të mira që kam dëgjuar deri tani. Të përgëzoj sepse është një këngë e vështirë dhe ti e solle me një profesionalizëm të vërtetë. Suksese dhe patjetër që për mua është një “PO”.

Pirro Çako: Edhe për mua ishte një perfomancë shumë e mirë!

Fifi: Më ke emocionuar pafund!

Bojken Lako: Eden bravo! Të përgëzoj shumë, është dukshëm që ke një kapacitet shumë të mirë nga ana vocal-e. Nuk kam çfarë të them! Po të jap një këshillë, ky kapaciteti i madh që ke, duhet kursyer.

Oriola Marashi: Në fakt ajo që më bëri përshtypje mua ishte mbiemri “Dani”, edhe timbri i zërit më duket shumë i dëgjuar! Çfarë e keni Elhaida Danin?

Eden: Hallë!

Lot në ‘X Factor’, Doriani surprizohet nga vëllai: Nuk di të shkruaj, por zemra ime flet shumë!

Në skenën e “X Factor Kids”, aty ku ëndrrat marrin formë dhe emocionet shpërthejnë, një djalë i vogël me zemër të madhe arriti të prekë zemrat e publikut. Doriani, me violinën e tij dhe shpirtin plot dritë, jo vetëm që mori duartrokitjet e jurisë, por edhe zemrat e të gjithëve që e ndoqën.

Dhe pikërisht në kulmin e këtij momenti magjik, ai u surprizua me një mesazh dashurie nga vëllai i tij i vogël, Dario, i cili përballet çdo ditë me sfida shëndetësore, por që nuk ndalon së dhëni forcë dhe frymëzim.

Alketa Vejsiu: Mamaja jote është një mama e jashtëzakonshme sepse ajo 24 në 24 është në kujdes të plotë të vëllait tënd i cili ka disa probleme shëndetësore të cilat ia vështirësojnë jetën. Jam shumë e lumtur që mami jot mori një kënaqësi të veçantë, edhe babi patjetër! Je e lumtur, je krenare që të kompensoi zoti me këtë gëzim?

Mami i Dorianit: Jam shumë e lumtur. Doriani është drita që nuk shuhet kurrë në shtëpi. Këta janë dy ekstreme nga njëri-tjetri, por që falin dashuri në mënyra të ndryshme!

Alketa Vejsiu: Dua që t’i bësh vëllait një përshëndetje të veçantë!

Doriani:  Dario të dua shumë!

Alketa Vejsiu: Ke dëshirë ti që të shikosh një video të vogël të vëllait tënd, i cili ta bërë surprizë?

Mesazhi i Darios: Dada. Se kështu di unë të thërras. Vëllai im i dashur, unë nuk di të shkruaj, por zemra ime flet shumë! Kur ti këndon ne buzëqeshim dhe kur dëgjojmë tingujt e violinës tënde fluturojmë me ty. Mami qan nga emocionet, por është krenare për ty. Po ashtu edhe unë, edhe babi. Heroi im shkëlqe sonte, vetëm siç ti di! Sukse në “X Factor”.

Mami i Dorianit: I dua të dy janë jeta ime të dy. Pavarësisht vështirësive që ne hasim dhe kemi gjatë jetës, ne do ia dalim, kemi arritur që t’ia dalim deri më sot.

/tvklan.al