Kushtet në dhomat e paraburgimit në Shqipëri kanë mbledhur përfaqëues të lartë drejtësisë dhe atyre të organizmave ndërkombëtare. Kjo është mbledhja e 4 e komitetit drejtues të projektit binjakëzues me Austrinë. Bashkimi Evropian do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve me anë të një projekti që po zbatohet nga ekspertë austriakë në vendin tonë. Qeveria austriake ka ofruar fillimisht 400 000 euro për këtë qëllim. Ministri i Drejtësisë Fatmir Xhafa ka pranuar se kushtet e të paraburgosurve janë ende larg standarteve evropiane gjë që është vërejtur pothuajse në të gjithë raportet ndërkombëtare. Sipas tyre në Shqipëri ka shkelje të rënda të të drejtave të paraburgosurve të cilët trajtohen si fajtorë për një krim për të cilin gjykata nuk është shprehur përfundimisht.
Fatmir Xhafa: “Dhe me qënë se është zoti ambasador këtu dhe edhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve të Austrisë do dëshëroja të theksoja që jo se ne jemi modest, por se është e vërtetë ne kemi pak përvojë lidhur me këtë me organizimin dhe kryesorja me shërbimin në këtë sistem.”
Edhe të miturit e paraburgosur janë viktima të shkeljes së të drejtave në burgje gjë që u cilësua shqetësuese edhe nga ambasadori i Këshillit të Evropës në Shqipëri Salzmann. Pas kësaj mbledhjeje ministri i Drejtësisë Xhafa është shprehur edhe mbi skandalin e disa ditëve më parë kur një i akuzuar për vrasje u la i lirë.
Fatmir Xhafa: “Kam reaguar, së pari duke i kërkuar policisë së shtetit të marri të gjitha masat e nevojshme për të shpallur në kërkim dhe për të gjetur personin e larguar. Së dyti, kam urdhëruar analizën dhe marrjen e masave administrative dhe jo vetëm administrative për personat përgjegjës dhe nga analiza paraprake që bëmë rezultoi që tre persona sipas gjykimit të parë tonin janë përgjegjës për këtë fakt dhe kam urdhëruar largimin nga puna të drejtorit të Burgut 325 dhe të juristëve që kanë gjithashtu përgjegjësi në këtë çështje në këtë nivel gjykimi që kemi.” /tvklan.al