Granit Xhaka është nën hetim nga Prokuroria e Luzernit, në lidhje me dyshimet për një certifikatë të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.

Sipas raportimeve të “Blick”, në dokumentin që dyshohet të jetë i falsifikuar figurojnë dy vaksina, më 25 janar dhe 8 nëntor 2022. Fillimisht, zëdhënësi i Xhakës, Andreas Bantel, kishte deklaruar se vaksina e dytë ishte bërë më 11 nëntor, por më pas e korrigjoi datën, duke e cilësuar si një lapsus.

Pikëpyetjet lidhen veçanërisht me 8 nëntorin. Sipas dokumentit, Xhaka do të ishte vaksinuar në Luzern, ndërsa në atë periudhë ai ishte pjesë e Arsenalit në Angli. Më 6 nëntor luajti ndaj Çelsit, ndërsa më 9 nëntor ishte sërish në Londër për ndeshjen ndaj Brajtonit.

Këto rrethana nuk dëshmojnë fajësinë e Xhakës. Për të sqaruar se ku ndodhej dhe çfarë ka ndodhur realisht, autoritetet pritet të verifikojnë të dhëna si udhëtimet dhe pagesat.

Nga ana tjetër, edhe avokati i mjekes, Kornel Bërbëj, ka deklaruar se klientja e tij “thotë se e ka vaksinuar Xhakën”.

Mesfushori shqiptar, përmes zëdhënësit të tij, ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet dhe do të japë shpjegimet e tij gjatë hetimit.

Nëse akuzat nuk vërtetohen, procedura mund të pushohet. Në rast se shpallet fajtor, Xhaka mund të përballet me gjobë.

Tv Klan

/tvklan.al