Rebelët Tuareg, të mbështetur nga xhihadistët e grupit JNIM, kanë marrë nën kontroll qytetin strategjik të Kidalit në veriun e largët të Malit.

Sipas raportimeve, ky zhvillim vjen pas një ofensive të përbashkët të nisur gjatë fundjavës kundër juntës ushtarake të udhëhequr nga Assimi Goïta, e cila ka prekur edhe zona të tjera të vendit, përfshirë rajonet qendrore dhe periferinë e kryeqytetit Bamako.

Ndërsa në Bamako është rikthyer një qetësi e brishtë me prani të shtuar të ushtrisë, situata në vend mbetet e tensionuar dhe autoritetet ushtarake po përballen me vështirësi serioze. Ngjarjet e fundit po konsiderohen si një goditje e rëndë për stabilitetin e Malit, i cili prej vitesh është kthyer në një pikë kyçe të ndikimit rus në rajonin e Sahelit.

Që nga marrja e pushtetit me dy grushte shteti në vitet 2020 dhe 2021, junta ushtarake ka larguar praninë franceze nga vendi, duke u mbështetur fillimisht te grupi Wagner dhe më pas te strukturat ruse të “Africa Corps”.

Megjithatë, sipas burimeve të ndryshme, kjo ndërhyrje nuk ka arritur të ndalojë përhapjen e grupeve xhihadiste, të cilat vijojnë të fuqizohen në Mali, Burkina Faso dhe Niger.

Aktualisht, rreth 2 mijë e 500 ushtarë rusë ndodhen në Mali, por numri i tyre është ulur muajt e fundit për shkak të zhvendosjes së forcave drejt luftës në Ukrainë. Në rrjetet sociale janë publikuar edhe pamje të kolonave ushtarake ruse që janë tërhequr nga Kidal.

Në këtë zhvillim, Tuaregët e Frontit për Çlirimin e Azawadit (FLA), që kërkojnë pavarësi në veri të vendit, kanë njoftuar se kanë marrë qytetin me mbështetjen e JNIM-it dhe se është arritur një marrëveshje për evakuimin paqësor të forcave ruse drejt Libisë.

Ndërkohë, situata politike në Bamako mbetet e paqartë. Ministri i Mbrojtjes, Sadio Camara, është vrarë gjatë një sulmi të fundjavës, ndërsa presidenti i juntës, Assimi Goïta, nuk është parë në publik ditët e fundit dhe dyshohet se ndodhet në një vend të fshehtë të siguruar.

Reagime të ashpra kanë ardhur nga Burkina Faso dhe Nigeri, të cilat flasin për “një komplot të mbështetur nga armiqtë”, ndërsa Franca ka shprehur “shqetësim të madh” për zhvillimet në rajon.

/tvklan.al