Pas shumë vitesh heshtjeje, familjarët e të ndjerit Fran Konomi kanë folur për herë të parë publikisht në rubrikën “Shihemi në Gjyq” me juristen Eni Çobani.

Djali i tij, Xhoni, së bashku me të ëmën, Rovenën, kanë sjellë në vëmendje jo vetëm ngjarjen e bujshme të vrasjes së babait të tij, por edhe një dramë të rëndë familjare që ka prekur drejtpërdrejt motrën e tij.

Xhoni është shfaqur i revoltuar ndaj së ëmës gjatë seancës ndërmjetësuese, pasi motra e tij nuk mund të verifikojë atësinë e babait në dokumente zyrtare gjatë përgatitjeve për martesë.

Sipas rrëfimit të Rovenës, mungesa e emrit të atit në certifikatë ka ardhur si pasojë e mospranisë së Fran Konomit në maternitet gjatë lindjes së vajzës në Gjermani në vitin 1998, çka ka lënë vajzën pa atësi të njohur ligjërisht dhe e ka bërë familjen të ndiejë mohimin nga rrethi i tyre.

Në rubrikën “Shihemi në Gjyq” me juristen Eni Çobani rikthehet në vëmendje të publikut një prej ngjarjeve më të përfolura, vrasja e Fran Konomit. Pas shumë vitesh flasin për herë të parë familjarët e tij, djali i tij Xhoni dhe gruaja e tij Rovena.

Xhoni: E dini pse kam ardhur unë sot këtu?! 17 vjet unë pranova që u bë si u bë. Por, kur erdhi muhabeti që deshi të martohej motra ime, nuk e verifikonin dot atësinë, atje lexonte “…”, për babain e saj. Ajo është kopjo e babit tim.

Rovena: Ju jeni fëmijët e atij.

Xhoni: Si mund ti mohohet atësia motrës ime, është motra ime, unë vdes për motrën time. Unë jap jetën time për motrën. Unë për ty po luftoj motra ime, unë vetes sime i kam thënë “hajde natën e mirë”.

Eni Çobani: Rovena, çfarë ka ndodhur me vajzën? Në momentin që ka lindur nuk është vënë atësia.

Rovena: Në vitin 1998 ka lindur vajza, ne kemi qenë në Gjermani. Franci jetonte Shqipëri-Gjermani sepse donte që të bënte ato gjërat e veta, ishte duke ndërtuar shtëpinë dhe hotelin. Çdo 2-3 muaj unë vija dhe shkoja dhe në momentin që Françeska ka lindur, duhej që babai të shkonte në maternitet dhe ta njohë, por ne nuk e kemi pasur. Nuk ka atësi. Në Shqipëri ia ka dhënë.

/tvklan.al