Disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë muzikore u mblodhën në Beverly Hills mbrëmjen e së shtunës, në festën tradicionale para ndarjes së çmimeve Grammy, të organizuar nga producenti legjendar Clive Davis.

Në tapetin e kuq parakaluan artistë të rinj, si e nominuara për herë të parë Olivia Dean, por edhe ikona të muzikës si Joni Mitchell dhe Verdine White.

Këngëtari i muzikës country dhe rap, Jelly Roll, u shpreh i emocionuar për nominimin e tij, duke vlerësuar edhe vendimin e Akademisë së Regjistrimeve për të ndarë në dy kategori çmimin për albumin country. Sipas tij, kjo tregon evolucionin e këtij zhanri muzikor.

“Jam i emocionuar. Thjesht… është diçka e madhe. Muzika country, shtimi i kategorive shtesë. Është kaq e madhe për zhanrin. Tregon zgjerimin e muzikës country. Dhe unë… jam i nderuar që jam një nga personat e nominuar herën e parë që u krijua ajo kategori”.

Ndërkohë, këngëtarja dhe autorja e muzikës country, Margo Price, tërhoqi vëmendjen me një distinktiv ku shkruhej “ICE Out”, në referencë ndaj politikave të ashpra të emigracionit në SHBA.

“Njerëzit po vuajnë. Amerika është e thyer dhe e ndarë dhe kurrë nuk ka pasur një kohë më të rëndësishme që ne të flasim hapur. Të mbrojmë demokracinë tonë. Dhe, e dini, shpesh e kam marrë si të mirëqenë duke u rritur në një vend të lirë. Nga ajo që po ndodh tani, zemra ime ka qenë shumë e rënduar. Dhe kjo është gjëja më e pakët që mund të bëj”.

Atmosfera e festës u shoqërua me pritshmëri të larta për ceremoninë e Grammy-ve, që zhvillohet të dielën.

Në tapetin e kuq u panë gjithashtu emra të njohur si Jennifer Hudson, Karol G, Paris Hilton, Bebe Rexha, MGK, Ne-Yo dhe Nancy Pelosi, mes shumë të ftuarve të tjerë.

Klan News

/tvklan.al