“Do propozoj, shtyrje të orës policore në 24:00 dhe heqje të maskës jashtë”

Një nga anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve për Covid-19, është i mendimit që ka ardhur koha që ora policore të shtyhet dhe maska të mos jetë me detyrim në mjediset e jashtme. Në një intervistë  për televizionin Klan, Alban Ylli thotë se situata e pandemisë është e qëndrueshme ndaj masat duhen lehtësuar.

“Prej më shumë se një javë Shqipëria ndodhet në zonën e riskut të ulet dhe në këtë e matim me disa indikator të cilët janë duke u bërë më të fortë, si nga numri i rasteve ditore pozitiviteti i testimeve shtrimet në spital dhe numri i vdekjeve. Shpresoj në mbledhjen e kësaj radhë të kemi gradualisht lirimin e një a dy masave, unë personalisht do propozoj një zgjatje të orës policore deri në mesnatë dhe ndoshta një ndërrim të detyrimit për maskat në rekomandim, në mjedise të hapura”.

Ylli sqaron se lirimi i masave nuk do të thotë se pandemisë i erdhi fundi.

“Në opinion tim Covid si krizë globale do mbyllet brenda këtij viti por si një problem i shëndetit publik do vazhdojë gjatë, do të na duhet të vaksinojmë shumë për të qenë të sigurt se nuk do kemi problem”.

Aktualisht që prej nisjes së pandemisë janë infektuar me Covid-19 mbi 131 mijë persona, ndërsa janë kryer mbi 600 mijë vaksinime.

Tv Klan