Zbardhet dëshmia para policisë e të dyshuarit për vrasjen me armë zjarri të 20-vjeçarit Johan Zuko, të shtunën, 8 gusht, në qytetin e Korçës.
Shtetasi K.S. ka deklaruar se me Zukon ishte konfliktuar 2 javë para vrasjes, për shkak se viktima i kishte ngacmuar një mikeshë të tij. Gjatë debatit midis të rinjve, K.S. e kishte goditur me pëllëmbë Zukon.
Sipas dëshmisë së 21-vjeçarit, të shtunën, rreth mesditës, ai kishte parë 20-vjeçarin që po kalonte me një automjet Mercedes-Benz, me ngjyrë të zezë dhe i ka folur, pasi donte të sqaronte konfliktin që kishin pasur.
Johan Zuko ka ndaluar automjetin dhe kur K.S. është afruar pranë dritares së drejtuesit, ai pretendon se 20-vjeçari është përpjekur ta godasë me një thikë. Madje, konflikti ka vijuar për disa minuta dhe Zuko, i ndihmuar nga një shok i tij që ishte me të, ka tentuar sërish ta godasë me thikë, duke e ofenduar rëndë, por disa persona që ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë të rinjtë.
Pas këtij sherri të ri, K.S. ka rrëfyer se në gjaknxehtësi e sipër ka shkuar në banesë dhe ka marrë një pushkë dhe është nisur në kërkim të Zukos.
E ka gjetur 20-vjeçarin pranë lagjes 14, ku ai banonte përballë një marketi. Sipas K.S., viktima e ka sharë përsëri dhe është larguar me vrap. 21-vjeçari është vënë në ndjekje të tij dhe kur Johan Zuko ka hyrë në një pallat, K.S. ka dëshmuar se ka qëlluar me armë në drejtim të tij, duke synuar nga ana e këmbëve dhe më pas është larguar në drejtim të lagjes së tij.
Kur ka mbërritur te Fusha e Drurëve, e ka fshehur armën duke e vendosur në disa shkurre. Pasi ka fshehur armën, ai ka shkuar në banesë, është ndërruar dhe rrobat që kishte veshur i ka futur në lavatriçe. Pas kësaj, ka dalë nga banesa dhe ka qëndruar në një banesë të pabanuar që ndodhet pranë shtëpisë së tij.
Johan Zuko u qëllua me armë zjarri nga K.S., duke humbur jetën në shkallët e pallatit ku kishte vrapuar për t’iu shmangur vrasësit. Policia e arrestoi disa orë pas ngjarjes autorin 21-vjeçar.
K.S. akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 