Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen do të publikojë të mërkurën raportin e saj vjetor për Evropën e bashkuar.

Von Der Leyen i ka rezervuar një pjesë të veçantë në fjalimin e saj zgjerimit të Bashkimit Evropian. 

“Gjatë vitit të kaluar, negociatat e zgjerimit kanë marrë një vrull të ri. Negociatat me partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë përparuar në shkallë të ndryshme. Me më shumë se gjysmën e kapitujve negociues tashmë të mbyllur, Mali i Zi është veçuar si shteti më i avancuar në procesin e tij të anëtarësimit. Edhe Shqipëria arriti një moment kyç të rëndësishëm kur mbylli tre kapitujt e parë negociues në muajin korrik”, tha presidentja e KE-së, Von Der Leyen.

Në këtë pjesë të raportit që do të lexohet të hënën në parlamentin Evropian nga Von Der Leyen, zgjerimi konsiderohet si projekti më i suksesshëm i Bashkimit Evropian dhe një domosdoshmëri strategjike.

“Popujt e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë e kanë bërë të qartë se e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e Bashkimit Evropian. Ndonëse zgjerimi do të mbetet gjithmonë një proces i bazuar në merita, shumë vende, përfshirë Ukrainën e goditur nga lufta, i kanë përmbushur angazhimet e tyre dhe meritojnë të ecin përpara. Ne jemi të vendosur t’u japim atyre mbështetjen tonë të plotë në rrugën drejt anëtarësimit”, tha Von Der Leyen.

Më 30 shtator KE do të publikojë propozimet për thjeshtëzimin e procesit të integrimit ku përfshihen integrimi gradual dhe heqja e votimit me unanimitet që është bërë pengesë në vite për Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate.

/tvklan.al