05 shtator 2026- Policia ka zbardhur autorësinë e vendosjes së një sasie lënde plasëse të lidhur me një aparat telefonik celular në lagjen nr. 3 të Durrësit.

Për ngjarjen janë arrestuar dy persona të dyshuar si autorë, përkatësisht S. Ç., 47 vjeç, dhe M. T., 46 vjeç, të dy banues në Durrës.

Ngjarja është regjistruar më 28 gusht 2026, në lagjen nr. 3, ku u konstatua një aparat telefonik celular i lidhur me një sasi lënde plasëse.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe tre celularë, të cilët pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme për të dokumentuar rrethanat dhe përfshirjen e personave të dyshuar.

Të arresturit akuzohen për veprat penale “shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e përgjegjësisë së personave të arrestuar.

Njoftimi i Policisë:

Zbardhet autorësia e vendosjes së një sasie lënde plasëse të lidhur me një aparat telefonik celular.

Arrestohen dy persona të dyshuar si autorë. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasve S. Ç., 47 vjeç, dhe M. T., 46 vjeç, të dy banues në Durrës, të dyshuar si autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.08.2026, në lagjen nr. 3, Durrës.

Më datë 28.08.2026, në lagjen nr. 3, Durrës, u konstatua një aparat telefonik celular i lidhur me një sasi lënde plasëse.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate telefonikë celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.