Policia e Shkodrës ka finalizuar këtë të dielë, më 21 dhjetor, operacionin e koduar “Pesha e krimit”, duke arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, i cili u gjet i vrarë në oborrin e banesës së tij në fshatin Guci e Re më 27 shkurt 2025.

Kështu, sipas një njoftimi nga uniformat blu, në pranga kanë rënë shtetasit K.L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull, dhe V.K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri. Të dy akuzohen për “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe strukturave të Komisariatit të Policisë Shkodër.

Sjellim ndërmend se ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Guci e Re, rreth orës 14:50 të 27 shkurtit të këtij viti, kur Pavlin Preka u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij. Sipas xhaxhait të të riut, ai nuk kishte probleme dhe familja e tij jetonte një jetë të qetë, duke u marrë me blegtori në Dukagjin.

Prindërit e Pavlinit janë të divorcuar që kur ai ishte 3 vjeç, ndërsa ai e kalonte kohën mes Dukagjinit dhe Gucisë, ku kishte ndërtuar edhe një banesë të vetën. Policia lokale ka kryer kontrolle dhe ka siguruar çdo provë të mundshme në vendngjarje, ndërsa hetuesit po mblidhnin dëshmi nga të afërm dhe banorë të zonës për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.